Komisionit i shëndetit, sigurisë, mirëmbajtjes dhe mjedisit
Dispozitat normative
KREU XXII
SHËNDETI, SIGURIA, MIRËMBAJTJA NË INSTITUCIONIN ARSIMOR PUBLIK
Sqarim: Pikat e mirëmbajtjes i takojnë vetëm institucionit arsimor publik. Shihni VKM për miratimin e fondeve për funksionimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve arsimore publike të arsimit parauniversitar.
NENI 115
KOMISIONIT I SHËNDETIT, SIGURISË, MIRËMBAJTJES DHE MJEDISIT (MË TUTJE: “KOMISIONI”)
1. Drejtori i institucionit arsimor ngre komisionin, që kryesohet prej tij ose një nëndrejtor i ngarkuar prej tij (nëse ka) dhe përbëhet nga mësues të zgjedhur nga këshilli i mësuesve, prindër të caktuar nga këshilli i prindërve dhe nxënës nga qeveria e nxënësve.
2. Komisioni:
a. mbikëqyr rregullisht në institucionin arsimor kushtet e ruajtjes së shëndetit, të higjienës, pastërtisë, mjedisit, të sigurisë së nxënësve dhe punonjësve dhe ruajtjen
e mirëmbajtjen e mjediseve dhe të pajisjeve;
b. identifikon nevojat për mirëmbajtje të institucionit, që plotësohen nga njësia bazë
e qeverisjes vendore;
c. përcakton nevojat për ndreqje të vogla, shërbime, zëvendësime të pjesëve për shkak të dëmtimeve.
d. ç) organizon veprimtari ndërgjegjësuese me nxënës, mësues dhe prindër për kushtet e ruajtjes së shëndetit, të sigurisë, mirëmbajtjes së mjediseve e pajisjeve të institucionit;
e. harton raporte për drejtorin e institucionin arsimor për kushtet e parashikuara në pikën a) të këtij neni dhe propozon përmirësime.
3. Komisioni përcakton procedurat ditore dhe javore të higjienës, pastërtisë dhe mirëmbajtjes së institucionit arsimor.
4. Komisioni drejton hartimin e rregullores që përmban:
a. veprimet konkrete që kryhen në raste emergjence;
b. procedurat e pranimit të njerëzve të panjohur në mjediset e institucionit;
c. procedurat e mirëmbajtjes rutinë ditore dhe javore të institucionit arsimor;
d. të tjera, me propozimin e mësuesve, prindërve dhe nxënësve.
NENI 116
SHËNDETI
1. Drejtori i institucionit arsimor:
a. njofton menjëherë urgjencën shëndetësore kur nevojitet ndihma e saj;
b. dërgon menjëherë me mjete të transportit të rastit nxënësin ose punonjësin mësimor, kur urgjenca shëndetësore e porosit të veprojë kështu.
2. Kur një nxënës sëmuret ose pëson aksident, mësuesi kujdestar ose një drejtues i institucionit arsimor njofton menjëherë prindin.
3. Institucioni arsimor ka të paktën një kuti të ndihmës së parë, përherë funksionale. Të paktën një mësues për 400 nxënës ka certifikatën për administrimin e ndihmës së parë. Për aksidente të vogla, nxënësi i dëmtuar merr ndihmën e parë në shkollë.
4. Kur nxënësi regjistrohet në konviktin e shkollës, paraqet vërtetimin mjekësor se nuk vuan nga ndonjë sëmundje ngjitëse.
Drejtori i institucionit arsimor nuk pranon që të hyjnë në mjediset mësimore punonjësit ose nxënësit që kanë sëmundje ngjitëse.
Drejtori njofton shërbimin shëndetësor kur dyshohet për përhapjen e një sëmundjeje ngjitëse në institucion.
5. Pirja e duhanit dhe alkoolit ndalohet në të gjitha mjediset e institucionit. Institucioni arrin marrëveshje me institucionet e tjera për mos pirjen e duhanit në mjediset ku nxënësit kryejnë veprimtari.
6. Drejtori siguron dokumentet, sipas legjislacionit në fuqi, për ruajtjen e shëndetit të nxënësve nga artikujt që tregtohen për ta brenda territorit të institucionit ose pranë institucionit, por që shesin kryesisht vetëm për nxënësit e institucionit arsimor.
7. Drejtori njofton autoritetet përkatëse kur krijohen zhurma që shpërqendrojnë vëmendjen e nxënësve.
NENI 117
SIGURIA
1. Në një vend të dukshëm në shkollë afishohen numrat e emergjencës (numrat e policisë, të zjarrfikëseve, të urgjencës).
2. Punonjësit arsimor dhe nxënësit janë udhëzuar dhe stërvitur për radhën e veprimeve në godinën e institucionit për ngjarje të jashtëzakonshme, si: rënie zjarri, përmbytje, tërmete etj.
3. Institucioni arsimor:
a. ka pajisjet e mjaftueshme për mbrojtjen kundër zjarrit;
b. ka shenja dalluese që tregojnë rrugën për të dalë në ngjarje të jashtëzakonshme.
4. Korridoret, shkallët dhe sheshpushimet në godinën e institucionit arsimor nuk janë
të zëna me objekte që pengojnë lëvizjen në ngjarje të jashtëzakonshme.
5. Drejtori i institucionit arsimor publik komunikon menjëherë me njësinë e qeverisjes vendore kur është në rrezik siguria në institucion për shkak të problemeve në mirëmbajtjen e tij.
6. Mësuesit dhe instruktorët janë përgjegjës për sigurinë e mjeteve dhe të pajisjeve që përdoren nga nxënësit. Në një vend të dukshëm për nxënësit vendosen rregulloret e sigurisë në mjediset e shkollës. Nxënësit i kanë përvetësuar rregulloret.
7. Kur drejtori i institucionit arsimor gjykon se rrezikohet siguria në një mjedis ose në të gjithë godinën, vendos ndërprerjen e funksionimit të mjedisit ose të institucionit dhe njofton DAR/ZA-në. Drejtori i institucionit arsimor publik njofton menjëherë bashkinë/komunën dhe DAR/ZA-në.
8. Drejtori harton raportin për çdo rast emergjence në institucion.
9. Drejtori i institucionit arsimor publik formulon periodikisht ose në kohë reale me sistem elektronik, për njësinë përkatëse të qeverisjes vendore, kërkesën e detajuar për mirëmbajtjen e institucionit, bazuar në pyetësorin e mirëmbajtjes.
10. Drejtori njofton menjëherë policinë dhe bashkinë/komunën për vjedhje ose tentativë vjedhjeje në pronën e institucionit.
NENI 119
ZHDËMTIMET NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE
1. Drejtori/nëndrejtori, për dëmtimin/vjedhjen e pronës publike në institucionin arsimor nga punonjësit/nxënësit e institucionit, harton proces-verbalin, ku përshkruan ngjarjen dhe dëmin. Mësuesi kujdestar njofton prindërit e nxënësit.
2. Drejtori i institucionit arsimor publik dërgon zyrtarisht te njësia bazë e qeverisjes vendore procesverbalin për dëmtimin e shkaktuar, bashkë me emrin e dëmtuesit/dëmtuesve. Në rastin e nxënësit jepet edhe emri i prindërve dhe adresa e tyre.
3. Njësia bazë e qeverisjes vendore, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi, përcakton masën e zhdëmtimit dhe njofton zyrtarisht dëmtuesin/dëmtuesit.
4. Punonjësi arsimor/prindi i nxënësit likuidojnë detyrimet për dëmin e shkaktuar me përfitues njësinë bazë të qeverisjes vendore.
5. Institucionet arsimore private përcaktojnë në rregulloren e tyre të brendshme procedurat e zhdëmtimeve.